Veterani i UÇK-së: Po iki me katër fëmijët nga toka për të cilën derdha gjak

Dardan Krasniqi në një intervistë për lajmi.net ka rrëfyer arsyet e vendimit për tu larguar nga Kosova.

Ai thotë se është shumë e rëndë që në 24 vjetorin e çlirimit të Kosovës vendi po përballet me ikje të popullatës.

‘’Nuk e marr të drejtë të flas as për mërgimin si plagë as si dhimbje. Aq më tepër kur po hyjmë në 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Më e dhimbshme është kur nga zona prej nga vij, Malishevës, e cila ka qenë zona e parë e lirë e UÇK-së, kur aty vendi është i zbrazur dhe dhimbja nuk është me mua si Dardan por dhimbja e ikjes është e ndjej të nevojshme me thënë këtë, kur ikin fëmijët e dëshmorëve’’ thotë Krasniqi.

Më tutje Krasniqi thotë se krejt angazhimin e tij qoftë politik, qoftë në luftë e kam bërë për t’i vënë disa themele në këtë vend, të barazisë, drejtësisë dhe meritokracisë.

‘’Ne jetojmë në një vend ku nuk i kemi bazat themeltare të këtyre vlerave. Shoqëria jonë ka dështuar me i ndërtu disa baza themelore për të cilat njeri kish me qenë i vlerësuar dhe çmuar. Ne sot nuk e dimë cili është mësuesi i mirë në këtë vend, cili është polici i mirë në këtë vend dhe cili është standardi për të qenë i mirë në këtë vend’’

Unë nuk e di cili është ushtari i mirë më në këtë vend.Ka qenë vendim i shtirë, pas 44 viteve me lëshuar vendin me katër fëmijë dhe pjesën tjetër të jetës mos me kalu në një tokë për të cilën ti ke derdhë edhe pikat e gjakut, ka shtuar më tutje Krasniqi.

Lexo edhe:  Ndalimi i Lushtakut nga Specialja, Kastrati: Jugonostalgjikët u gëzuan por UÇK-ja është në çdo cep të vendit