Ky është 48-vjeçari që u kap me armë ilegale e drogë në shtëpinë e tij në Prishtinë, kërcënoi policët

Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Dukuri tjetër negative është posedimi armëve ilegale nga qytetarët. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Një rast i tillë është zbuluar dje në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku është arrestuar një person.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Sevdaim Canolli, 48-vjeçar.

Canolli ra në prangat e Policisë, pasi njësitë policore në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës kanë kryer bastisje në shtëpinë e tij në rrugën ‘Ramë Govori’, pasi i njëjti kishte publikuar pamje ku shihej me armë.

I dyshuari ka pranuar që të dorëzojë armën e gjatë AK-47 dhe më pas gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar edhe armë tjera e substancë e dyshuar narkotike.

Sipas njoftimit të Policisë, në shtëpinë e 48-vjeçarit janë gjetur dhe sekuestruar

  • një armë e gjatë AK -47
  • një armë e tipit Zoraki
  • një thikë
  • dy karikatorë
  • 9 fishekë si dhe
  • një sasi e konsiderueshme e substancës narkotike, dyshohet të llojit marihuana.
  • Sinjali mëson se Canolli ka tentuar t’i pengojë zyrtarët policorë gjatë bastisjes dhe dyshohet se i ka kanosur ata.

    48-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.

    Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’, ‘Posedim i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope ose analoge’ dhe ‘Kanosje ndaj personit zyrtar’.

    Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Tentim vrasja në Fushë Kosovë: Ky është i arrestuari që plagosi me armë zjarri vëllezërit Kadriu