Ky është 28-vjeçari që u arrestua pasi u kap me drogë në Prishtinë, përfundon në ndalim policor

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.

Një rast i tillë është zbuluar në rrugën “Dervish Çollaku” në Prishtinë, ku gjatë patrullimit në një pikë kontrolli, Policia ka ndalur një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i riu që përfundoi në ndalim policor, nën dyshimet për këtë rast është Florent Rexhepi, 28-vjeçar.

Rexhepi është kapur në flagrancë me një qese me substancë narkotike, të llojit marihuanë.

Për shkak të posedimit të drogës, i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën për të cilën ngarkohet.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ dhe i njëjti është dërguar në ndalim policor për 48 orë.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  Tentim vrasje në një kompani ndërtimi: 49-vjeçari e rrah një punëtor, djali i tij e ther