Ky është 22-vjeçari i arrestuar në Prishtinë, dyshohet se e kërcënoi të dashurin e ish të dashurës

Shpeshherë të rinjtë e kanë të vështirë të pranojnë ndarjen nga partnerët e tyre.

Ata nuk zgjedhin formë për të provuar që të kthehen sërish bashkë, e madje nuk i kursejnë as kërcënimet e shantazhet ndaj tyre. Një rast i tillë ka ndodhur të hënën në Prishtinë, ku një person ka kërkuar ndihmën e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima e ka denoncuar në Polici të dyshuarin se e ka kërcënuar me armë zjarri derisa ndodhej në veturë me të dashurën e tij, e cila më parë ka qenë në lidhje me personin e dyshuar.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për Lorent Llapashticën, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, nën dyshimet se fillimisht ia ka bllokuar rrugën viktimës e më pas e ka kanosur me armë.

Përballë kësaj situate, i riu ka vendosur që të raportojë atë që ka ndodhur, me ç’rast ka rrëfyer në Polici detajet se si ndodhi incidenti.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku e ka mohuar se e ka kanosur viktimën, por vetëm se ka kapur një komunikim të shkurt me ish të dashurën e tij.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij dhe inicimin e rastit për veprën penale “Kanosje”.

Rasti ëhstë konfirmuar tashmë edhe nga Policia e Kosovës.

“Viktima mashkull kosovar ka njoftuar policinë se është kanosur me armë zjarri nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”

Lexo edhe:  “I tha ‘Ik’, por ajo bëri rezistencë”, flet vjehrri i 33-vjeçares që dyshohet se u vra nga grabitësit