Kurtishi: Ka rritje të rasteve me kancer të gjirit, sivjet mund të prekën 450 gra

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka deklaruar se në pesë vjetët ka shtim të rasteve me kancer të gjirit në Kosovë, e sipas tij, bazuar në trendin e rasteve, sivjet me këtë sëmundje malinje mund të prekën 450 gra.

Ai ka deklaruar të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se shtimi i rasteve me kancer të gjirit është edhe pasi qytetarët janë vetëdijesuar dhe po paraqiten për trajtim në kohë më të hershme. Sipas tij, gjatë 2022-s janë identifikuar 420 femra me kancer të gjirit e 5 meshkuj.

“Numri i të prekurve me kancer është në rritje në këto pesë vjetët e fundit. Evidentojmë për këto raste dhe të dhënat janë të njëjta. 10 deri në 13 për qind ka rritje të rasteve me kancer nga viti në vit. Pacientët lajmërohen më shumë në klinikën tonë, pasi viteve të mëhershme kanë bërë zgjidhje jashtë vendit, por për faktin që trajtimet janë të shtrenjta, viteve të fundit bëjmë trajnimet në të gjitha format e sëmundjeve malinje, sidomos të gjirit. Lajmërimi i pacientëve është më i madh, secili vend i rajonit ka ngritje të rasteve të reja…por në krahasim, Kosova qëndron më së miri”, ka deklaruar ai.

Sipas drejtorit të Onkologjisë, ekzistojnë faktorët e jashtëm dhe të brendshëm që shkaktojnë kancerin e gjirit.

“Faktorët e brendshëm janë gjenet apo baza gjenetike, gjinia dhe mosha. Pra, këto janë faktorë që s’mund të ndikojmë. Gjinia femërore është më e prekur se ajo mashkullore… Faktorët e jashtëm janë nga konsumimi i duhanit, mosaktiviteti fizik, ushqimi jo adekuat…Sivjet mund t’i kemi 450 femra me kancer të gjirit, e kjo shifër mund të jetë e saktë mbi 95 për qind”, ka shtuar ai.

Lexo edhe:  Në shtëpitë e shqiptarëve konsumohet çdo ditë, por ky produkt është shkaku i akneve në fytyrë

Kurtishi ka theksuar se nëpërmjet ligjit, do të mund të obligohej kryerja e mamografisë nga çdo grua që mbush moshën 40-vjeçare, në mënyrë që sipas tij, të identifikohej kanceri i mundshëm që në fazat e para.

“Sëmundjet malinje janë të rrezikshme e nëse nuk identifikohen me kohë trajtimi është më i vështirë. Sa më herët që zbulojmë sëmundjen, aq më lehtë mund ta mjekojmë. Kosova po shënon hapa pozitivë, por që janë të pamjaftueshëm për identifikimin e hershem të tij. Zakonisht dhe e përditshme është që femrat vërejnë ndryshime për të cilat nuk reagojnë por i anashkalojnë”, ka potencuar tutje ai.