Kurti – Policisë: Vazhdoni pa kompromis luftën ndaj bandave e krimit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka marrë pjesë në shënimin e Ditës Memoriale të Policëve të rënë në kryerje të detyrës.
Ai ka kërkuar nga këta policë luftimin e bandave kriminale dhe ndaj çdo veprimtarie që cenon sigurinë e qytetarëve.
“E sot, teksa kujtojmë të gjithë ata, bëhen 12 vjet nga vrasja e Enver Zymerit nga strukturat kriminale. Kampi ku jemi mbledhur këtu, ka qenë dalja e fundit e Enver Zymerit drejt operacionit për shtrirje të sovranitetit dhe ligjshmërisë në dy pikat kufitare me Serbinë”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se Enveri i rritur e i edukuar nga një familje patriotike që ishte e përndjekur nga regjimi serb, pas uniformës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdoi shërbimin ndaj vendit me uniformën e Policisë së Kosovës dhe është shembulli i qytetarit që u angazhua për të kuptimësuar lirinë.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti u tha familjarëve të policëve të rënë në krye të detyrës se sakrifica e bijve të tyre, është shembulli më i mirë që kanë para vetes gjenerata të tëra të Policisë së Kosovës. “Ju i keni dhënë vendit tonë më të dashurit tuaj, teksa ata jetojnë gjithmonë mes nesh. Ata jetojnë në kujtimet më të mira e në përvojat më të vlefshme të kolegëve të tyre në Policinë e Kosovës”, tha kryeministri.