Kurti në ceremoninë e hapjes së Javës së Krenarisë: Liria për të dashuruar është e drejtë universale

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Javës së Krenarisë/Paradës së Krenarisë, me moton “T’du qashtu qysh je!”, që u organizua nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile CSGD dhe CEL.

Para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues diplomatikë, anëtarë të shoqërisë civile dhe të ftuar të tjerë, kryeministri Kurti tha se në fillimin e Javës së Krenarisë, kujtohemi se liria për të dashuruar është e drejtë universale, duke e quajtur dashurinë një lloj kushti të lirisë.

Ai tha se të lashtët e kuptonin Dashurinë si një lidhje ndërmjet shpirtrave, e cila shkon përtej botës fizike. Ata i jepnin rëndësi jo vetëm në lidhje romantike, por edhe në lidhje të kultivuara me prindërit, fqinjët, të panjohurit dhe hyjnitë.

Java e Krenarisë ka për qëllim mbështetjen dhe promovimin e diversitetit dhe barazisë për komunitetin LGBTI në Republikën e Kosovë, përmes aktivitetet të ndryshme.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Më lejoni të filloj me një tekst nga Simpoziumi i Platonit: Miti i Aristofanit, edhe tash po ua shpërndajmë në anglisht versionin origjinal të këtij teksti, për përkthimin e të cilit e gjithë përgjegjësia i takon stafit tim, po jo mua.

Një herë në një kohë, ishin tre lloje njerëzish: mashkulli, nga dielli; femra, nga toka; dhe androgjeni, gjysëm-mashkull dhe gjysëm-femër, që vinte nga hëna. Secila qenie njerëzore ishte e rrumbullakët, me katër krahë dhe katër këmbë, dy fytyra identike në anët e kundërta të një koke me katër veshë, dhe të gjitha të tjerat të njëjta. Ata ecnin edhe përpara, edhe prapa, dhe vraponin duke u rrotulluar me tetë gjymtyrët, duke lëvizur në rreth si prindërit e tyre, planetët.

Duke qenë të fuqishëm dhe të padisiplinuar, dhe duke e ndjerë rrezikun, Zeusit i ra në mend ideja për t’i ndarë përgjysmë, si një mollë sorbe që ndahet për t’u bërë turshi. Ai edhe i kërcënoi se do t’i përgjysmonin përsëri, ashtu që të lëvizin vetëm me një këmbë. Pastaj, Apolloni ua ktheu kokat që të vështronin drejt plagës, ua tërhoqi lëkurën që ta mbulonte plagën dhe i lidhi te kërthiza që të dukej si kuletë. Ai u sigurua që të lë disa rrudha në atë që pastaj u njoh si barku, që ata të kujtohen për ndëshkimin e tyre.

Lexo edhe:  Apeli e kthen në rigjykim rastin e Shaban Gogajt

Pas kësaj, njerëzit e dëshiruan aq shumë gjysmën tjetër të vetes, saqë e kërkuan gjithandej. Kur e gjetën, u mbështillen shumë fortë dhe nuk e lëshuan njëri-tjetrin. Për pasojë, filluan të vdisnin nga uria dhe vetëneglizhenca. Zeusit i erdhi keq për këto krijesa të gjora. Organet intime ua zhvendosi përpara, në mënyrë që ata të cilët ishin androgjenë të kishin mundësi të lindnin dhe ata të cilët ishin meshkuj të gjenin kënaqësinë dhe të vazhdojnë me gjera të tjera të lartësuara.

Kjo është origjina e tërheqjes sonë për njerëzit e tjerë. Ata të cilët tërhiqen nga njerëz të seksit tjetër kanë qenë paraprakisht androgjenë, ndërsa burrat që tërhiqen nga burrat dhe gratë që tërhiqen nga gratë, kanë qenë paraprakisht meshkuj apo femra. Kur e gjejmë gjysmën tjetër të vetes, humbim në një magjepsje të dashurisë dhe miqësisë, dhe intimitetit, e cila nuk mund të shpjegohet thjesht nga epshi për seksin, por nga një dëshirë për t’u bërë përsëri të plotë dhe të rikthehemi në qenien tonë origjinale. Dëshira jonë më e madhe, po të mund ta arrinim, do të ishte që Hephaestus të na shkrinte bashkë me njëri-tjetrin, që shpirtrat tona të bëheshin një dhe të bashkoheshin përsëri në një fat të përbashkët.

Shkëlqesia juaj Vjosa Osmani Sadriu, presidente e Republikës së Kosovës,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë, Jeffrey Hovenier, ambasador i Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Jonas Westerlund, Ambasador i Suedisë, Carin Lobbezoo, ambasadore e Holandës në Republikën e Kosovës,

I nderuari z, Frank Power, Shef i Këshillit të Evropës,

E nderuara znj. Zeinah Salahi, shefe e USAID-it,

I nderuari ambasador Olivier Guérot, i Republikës së Francës,

Zëvendësambasador të Gjermanisë dhe Italisë,Matthias Conraddhe Ugo Ferrero,

I nderuar Blert Morina, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Barazi dhe Liri,

I nderuar Arbër Nuhi, Drejtor Ekzekutiv për zhvillimin e grupeve shoqërore,

Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile,

Të nderuar të pranishëm,

Në fillimin e Javës së Krenarisë, kujtohemi se liria për të dashuruar është e drejtë universale. Në fakt, Dashuria është një lloj kushti i lirisë. Por çfarë saktësisht është ajo? A është thjesht një ndjenjë apo ka Dashuria aftësinë për ta ndryshuar botën? A është vetëm një lidhje ndërmjet dy zemrave, apo edhe ndërmjet miqve, familjarëve apo edhe të panjohurve?.

Lexo edhe:  Aksident i frikshëm në Gllarevë, veturat bëhen "kërrsh"

Të lashtët e kuptonin Dashurinë si një lidhje ndërmjet shpirtrave, e cila shkon përtej botës fizike. Ata i jepnin rëndësi jo vetëm në lidhje romantike, por edhe në lidhje të kultivuara me prindërit, fqinjët, të panjohurit dhe hyjnitë. Nderimi i Dashurisë bëhej përmes veprave të dashamirësisë, besnikërisë dhe mikpritjes. Duke e kuptuar fuqinë e saj shpirtërore, ata e respektonin Dashurinë dhe mundoheshin të ushqenin zhvillimin e saj, duke besuar në aftësinë për të kapërcyer edhe pengesat që dukeshin më të pakapërcyeshmet.

Duke pasur parasysh këtë, është e qartë se Dashuria është një fuqi unifikuese e cila na lidh bashkë në një mënyrë të paprekshme dhe të thellë, përtej asaj të epshit apo të shoqërimit të thjeshtë. Dashuria është më shumë se shprehja e pasionit apo dëshirës: është një kod etike që përcakton ligje për t’u zbatuar, që ndihmon njerëzit për të mbajtur lidhje kuptimplota sociale, dhe që na fuqizon të përballojmë e kapërcejmë edhe sfidat më të vështira.

Megjithëse Dashuria është kusht i lirisë, ajo paradoksalisht mund të arrihet vetëm duke pasur liri, sepse liria është e domosdoshme në mënyrë që Dashuria të shfaqet dhe të lulëzojë. Pa të, Dashuria është e mangët dhe e vuajtur. Këtë vit, Java e Krenarisë, e gjashta me radhë, po festohet në një muaj shumë domethënës, në të cilin shënohen edhe ngjarje të rëndësishme të historisë sonë. Prej 10 qershorit të Lidhjes së Prizrenit, një lidhje politike, lëvizje kombëtare e themeluar në 1878. E më 12 qershor e kemi edhe përfundimin e një lufte të gjatë dhe të rëndë, e cila solli lirinë e paqen, por edhe lëvizjen e Kosovës për më shumë zhvillim e më shumë demokraci.

Përballë vuajtjeve që mund të duken të pakapërcyeshme, sikurse lufta dhe okupimi i huaj, Dashuria ka qenë një forcë fuqizuese dhe bashkuese në betejën për çlirimin e Kosovës. Çdo ditë, me solidaritet, patriotizëm dhe qëndrueshmëri, praktikuesit e Dashurisë kanë sfiduar kufijtë e autoritarizmit, duke këmbëngulur për progres. Përkushtimi i tillë ka lejuar që liria të jetë një realitet i arritshëm, duke e ndryshuar perceptimin tonë të dashurisë, nga një lidhje metafizike në një kusht të lirisë, një fuqi që nuk mund të mbytet nga urrejtja dhe persekutimi.

Lexo edhe:  Zjarr në një banesë në Prishtinë: Policia jep detaje

Të nderuar të pranishëm,

Ka më shumë se katër mijë vjet që shkruhet për dashurinë. E megjithatë, nëse dikush do të thoshte që muajin e ardhshëm do ta botoj një libër për dashurinë, askush nuk do të çuditej. Pra, si është e mundshme që të gjithë para nesh kanë shkruar aq shumë, e megjithatë neve na kaplon menjëherë kureshtja për librin më të ri mbi dashurinë që do të botohet.

Tezat e qasjet janë nga më të ndryshmet, prej atyre autorëve për shembull që besojnë që xhelozia është konstituive te dashuria, tek ata që e konsiderojnë se armiku i dashurisë nuk është tjetri por egoja. Tek ata që thonë se dashuria është gjendja në të cilën t’i e jep veten. Mandej, të tjerë që thonë se dashuria është gjendja ku t’i e gjen veten, e tek ata të cilët thonë se dashuria është gjendja në të cilën nuk ekziston kjo dilemë, ose ata që thonë se dashuria është çmimi i lumturisë, ose tek ata që thonë se dashuria është kushti i të vërtetës. Kjo tregon gjallërinë e dashurisë, e cila ka nevojë për neve, për jetë, mirëpo na mbijeton që të gjithë neve. Andaj, unë ju përgëzoj që Java e Krenarisë është përqendruar te dashuria.

Mendoj që më shumë se kaq edhe më mirë se kaq nuk ka qenë e mundur.

Duke u thirrur në frymën e ngazëllimit, duhet të kuptojmë, me modesti, se në zemrën e popullit tonë të dashur, gjendet besimi ynë se të gjithë individët meritojnë respekt dhe të drejta të plota të njeriut, pavarësisht nga raca, feja, etnia, identifikimi gjinor apo orientimi seksual. Për të ruajtur ato liritë që i çmojmë, duhet të vendosim një themel të bazuar fort në etikën e dashurisë dhe dhembshurisë, në mënyrë që tragjeditë e së kaluarës të mos bëhen motiv i përsëritur në kronikat e historisë sonë.

Ju faleminderit!