Kryetarët e katër komunave nga LVV kërkojnë të ndalet greva në arsim

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i Kamenicës, Kadri Rahimaj, i Shtimes, Qemajl Aliu dhe ai i Podujevës, Shpejtim Bulliqi – që të gjithë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë mbajtur një konferencë për media.

Përmes një postimi në Facebook, Bulliqi shkroi se kanë paraqitur shqetësimet e tyre lidhur me mosfillimin e vitit të ri shkollor në vend.

Ai bëri të ditur se kanë bërë thirrje nga prindërit që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla, teksa kanë apeluar nga mësimdhënësit që të ndalojnë grevën.

“Nga kjo konferencë ne ju bëmë thirrje prindërve që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla dhe apeluam tek mësimdhënësit që të jenë pjesë e procesit mësimor duke e ndalur grevën. Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur në diskutim publik Ligjin për Paga, ku mësimdhënësit trajtohen me paga të dinjitetshme si dhe është përkujdesur me Pakon e re mbështetëse në ndihmë të qytetarëve karrshi inflacionit”, thuhet ndër tjerash në postim.

Ndryshe, që nga 25 gushti Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka hyrë në grevë, pjesë e së cilës është edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës.

Ata po kërkojnë që të marrin shtesa në pagë prej 100 eurosh derisa të miratohet Ligji i Pagave.

Lexo edhe:  Bien temperaturat: Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vijim