Krimi në Vushtrri: Këta janë dy të plagosurit, njëri akoma në gjendje të rëndë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sonte Vushtrrinë, ku një person u vra dhe dy të tjerë mbetën të plagosur. Ndërkohë Policia ka arrestuar dy persona të dyshuar.
Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërkohë që njëri nga të plagosurit ndodhet në gjendje të rëndë.
Burimet e Sinjalit nga Emergjenca bëjnë të ditur se të plagosurit janë: Liridon Musliu dhe Ilmi Shaqiri.
Nga Emergjenca kanë deklaruar për Sinjalin se njëri nga të plagosurit është dërguar në sallë të operacionit kurse tjetri është dërguar në Klinikën e Ortopedisë.
“Njëri nga të plagosurit është transferuar në Klinikën e Ortopedisë për trajtim të mëtejshëm kurse tjetri i plagosur pas reanimimit kardiopulmonar dhe masave të ndërmarra nga ekipi kujdestar, sepse ka ardh pa shenja jete në emergjencë – është dërguar në sallë të operacionit në Emergjencë nga ekipi i anestezionit, kirurgjisë vaskulare dhe kirurgjisë torakale”, tha drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla.
Ndryshe, Gazeta Sinjali tashmë ka publikuar identitetin e dy të dyshuarve për krimin e rëndë të cilët tashmë janë arrestuar si dhe identitetin e viktimës.