“Kom me jau hjekë krytë thikë” – E mitura në Skenderaj kërcënon familjarët që e raportuan të zhdukur, dyshohet se u keqpërdor seksualisht

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre.

Ndihmën e Policisë e kishte kërkuar gati dy muaj më parë një grua në Skenderaj, e cila kishte raportuar se vajza e saj ishte larguar nga shtëpia mbrëmjen e 11 tetorit dhe nuk dinte asgjë për vendndodhjen e saj.

Sinjali mëson se nëna ka deklaruar se vajza e saj 6 ditë pasi u largua nga shtëpia e ka telefonuar për t’i kërkuar llogari se përse e ka denoncuar rastin në Polici. Sipas burimeve të Sinjalit, e njëjta më pas ka telefonuar dhe motrën të cilën e ka kërcënuar me jetë, duke i thënë se do ua heq kokën me thikë.

Nëna e 17-vjeçares ka ngritur dyshimet se e bija mund të jetë duke u shfrytëzuar për prostitucion.

Pas veprimeve të ndërmarra nga organet e rendit, Policia e ka gjetur të miturën dje në Fushë Kosovë dhe sipas informacioneve të para, dyshohet se ajo është keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur.

 

Lexo edhe:  E dhimbshme: Vdes një foshnje në Spital, babai kërkon ta marrë trupin e pajetë