KOSTT kërkon nga qytetarët kursimin e energjisë elektrike

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT, u ka bërë sot thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike, për shkak se kërkesat për energji janë më të larta se sa kapacitetet aktuale prodhuese.

Në komunikatën për media thuhet se si rrjedhojë e mos balancës në mes të konsumit të energjisë elektrike në vend dhe energjisë së siguruar për mbulim të konsumit nga operatorët përgjegjës në treg, janë shkaktuar devijime të theksuara ndaj sistemit interkonektiv të Evropës kontinentale, gjatë muajve të fundit.

“Qendra Koordinuese për Evropën Kontinentale në kuadër të ENTSO-E (SwissGrid) si dhe Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), trup i ENTSO-E, i kanë tërhequr vërejtjen KOSTT/Kosovës si Zonë Rregulluese, për ndërprerjen e menjëhershme të devijimeve ndaj rrjetit interkonektiv evropian. Në përputhje me përgjegjësitë ligjore KOSTT është i obliguar që të ndërmerr të gjitha veprimet për të balancuar sistemin në varësi nga konsumi, gjenerimi dhe importi i siguruar nga palët përgjegjëse brenda Zonës Rregulluese të Kosovës për të mos cenuar sigurinë e operimit paralel me rrjetin interkonektiv evropian”, thekson KOSTT.

KOSTT thotë se gjendja e krizës energjetike me të cilën po përballet Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës, si reflektim i krizës globale energjetike, kërkon mobilizim të të gjithë fakorëve andaj krahas angazhimit që po e bëjnë institucionet përgjegjëse, këshillohet edhe kontributi i qytetarëve duke shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale.

KOSTT bën të ditur që konsumi i energjisë elektrike në Kosovë në periudhën korrik-gusht 2022 sillet nga 337 MW deri në pikun e ngarkesës prej 792 MW, ndërsa gjenerimi i përgjithshëm i energjisë elektrike në vend aktualisht është rreth 540 MW.

Lexo edhe:  Rasti i pazakontë: S’i ktheu 3500 euro, rrëmbehet borxhliu (VIDEO)