Kosovari lë punën me rrogë 430 euro, shkoi në Zvicër

Shumë të rinjë kosovarë jetojnë “me sytë” jashtë vendit.

E nga vendi nuk ikin vetëm të papunët, por edhe të punësuarit. Rasti i fundit është i një të riu nga Vitia i cili i regjistruar si i papunë në Zyrën e Punësimit në Viti, pasi kishte aplikuar në masën “Qeveria për Familjen”, dhe ka përfituar, ai e kishte lënë punën pa e marrë asnjë pagë.

Kështu kanë konfirmuar nga Zyra e Punësimit në Viti, të cilët kanë thënë se në kuadër të skemës ‘Qeveria për Familjen’ kjo zyrë që përfshinë edhe Kllokotin ka arritur të punësojë 60 persona, për 6 muaj me radhë.

Sipas këtij institucioni, në mesin e këtyre përfituesve si punëkërkues, njëri që u angazhua në një frimë private për IT, ka ndërprerë kontratën me punëdhënësin pasi është larguar nga vendi.

I njëjti ishte përfitues i skemës së re “Çdo familje me të paktën një të punësuar”, ku për 6 muaj me radhë e kishte pagën 430 euro.

“Dy raste na kanë dështuar dhe kemi ndërprerë marrëveshjen, me njërin biznes diçka me IT, pasi kemi bërë marrëveshjen me biznesin dhe punëkërkuesin, ky i fundit e ka lënë punën dhe ka dal jashtë shtetit në Zvicër, në bazë të deklaratës së punëdhënësit ai ka shkuar jashtë dhe nuk ka marrë asnjë pagë sipas skemës së qeverisë. Për 6 muaj me radhë ai do të paguhej 430 euro”, thanë nga Zyra e Punësimit.

Skema “Qeveria për Familjen”, synon që çdo familje në Kosovë do të ketë së paku një të punësuar duke i subvencionuar bizneset që punësojnë mbajtës të familjes me 70% të pagës, apo maksimumi i mbështetjes të jetë 300 euro, për 6 muaj me radhë.

Lexo edhe:  Eksperti Ridvan Tahiri mesazh ndaj policëve: Mos ki mëshirë ndaj atij që të do të vdekur, ti vlen më shumë se sa 100000000000 plaçkitës

Ndryshe, në Viti janë mbi 219 vende të lira të punës që punëdhënësit i kanë ofruar në Agjencinë e Punësimit. Vetëm brenda këtij viti, në zyrën e punësimit të këtij qyteti, 303 persona janë regjistruar si punëkërkues të rinj.

Në nivel vendi, në Agjencinë e Punësimit të Kosovës janë të regjistruar mbi 82 mijë punëkërkues.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës që ka publikuar Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e tretë 2021, shkalla e papunësisë është 17.7%. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2020, nga Kosova janë larguar 8,724 banorë.