Kosovari blen barna në një barnatore me 100 euro false, i merr 95 euro kusur origjinal
Rastet kur qytetarët kanë tendenca për të paguar shërbime të ndryshme me para të falsifikuara janë rritur.
Qindra euro dyshohet që çdo ditë po vihen në qarkullim, në tregun e Kosovës. Një rast i tillë ka ndodhur edhe gjatë ditës së sotme, në rrugën “Idriz Seferi” në Gjilan.
Këtë herë Sinjali mëson se një person ka blerë disa produkte në një barnatore, e të cilat i ka paguar me një 100-she që dyshohet të ketë qenë false.
Siç duket kjo është një ‘metodë’ e re për të vënë në qarkullim para të falsifikuara, pasi barnat që ka blerë i dyshuari kanë kushtuar rreth 5 euro dhe punëtorja është dashur t’ia kthejë të dyshuarit 95 euro origjinal.
Në momentin e pagesës, punëtorja s’e ka vërejtur se paratë mund të jenë të falsifikuara, por më pas e ka kuptuar se kartëmonedha dyshohet të jetë false.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e personit të dyshuar.
Kujtojmë se paratë e falsifikuara po qarkullojnë me të madhe në Kosovë. Sipas burimeve të Sinjalit, kualiteti i parave false që po vihen në qarkullim është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.
Ndryshe, falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.