Kontrollet e Policisë te ‘Hardh Fest’, dy të rinj kapen në flagrancë me marihuanë dhe kokainë

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare.

Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar në Rahovec, ku është mbajtur “Hardh Fest”, ku njësia e Antidrogës ka kapur dy persona me lëndë narkotike.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit trupor, zyrtarët policorë kanë gjetur te dy të rinjtë një sasi të substancës së dyshuar narkotike, të llojit marihuanë, si dhe kokainë.

Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa droga është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tyre të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  Zbulohet se çfarë dallavare bënin autoshkollat që u bastisen sot në Prizren