Konjufca dënon dhunën ndaj Sanduloviqit: Sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë

 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar për dhunën brutale ndaj politikanit serb, Nikola Sanduloviq, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Konjufca ka dënuar ashpër aktin e shëmtuar të dhunës ndaj Sanduloviqit.

“Nga raportimet e mediave dhe deklarimet e familjarëve dhe avokatit mësuam se z. Sanduloviq, i marrë nga policia e shërbimit sekret serb, është mbajtur dhe rrahur nga persona zyrtarë të këtij institucioni shtetëror, e më pas i është bastisur apartamenti. Në një situatë të frikësimit dhe territ mediatik në Serbi, aludimi shqetësues se në torturim ka marrë pjesë edhe terroristi Milan Radojçiq, i kërkuar nga Republika e Kosovës dhe ndërkombëtarisht për sulmin terrorist në Banjskë, akoma nuk është sqaruar”, shkroi ai.

Sipas kryekuvendarit, përpjekja për të trembur dhe zmbrapsur politikanë si Sanduloviq, vjen si sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndaj kulturës politike evropiane në Serbi.

“Përpjekja për të trembur dhe zmbrapsur politikanë si z. Sanduloviq, i cili sulmohet pikërisht se njeh sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe kërkon falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, vjen si sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndaj kulturës politike evropiane në Serbi.

Duke i dëshiruar shërim sa më të shpejtë z. Sanduloviq, e duke uruar që ai të dalë edhe më i vendosur nga ky sulm i rëndë, i bëj thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime frenuese të brutalitetit të shtetit serb, që është i orientuar sa drejt Republikës së Kosovës, aq edhe drejt figurave publike që i shërbejnë përparimit të marrëdhënieve tona”, shkroi më tej Konjufca.

Lexo edhe:  Shkelzen Gashi për Qeverinë Kurti: E kam ditë që s'dinë me bo kurrgjo