Konflikti për pronë eskaloi në sulm: Ky është i riu që sulmoi me mjet të fortë 51-vjeçarin në Junik

Mosmarrëveshjet për prona po vazhdojnë të shkaktojnë përleshje e telashe të shumta mes qytetarëve, e madje të përfundojnë edhe tragjikisht, siç ndodhi para disa muajsh në Gjakovë, ku u vranë dy vëllezër. Të tilla raste zakonisht nisin me zënka e konflikte verbale, e më pas eskalojnë edhe në përleshje e kanosje serioze, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur edhe sot në Junik, ku dy persona janë kapur mes vete si pasojë e një mosmarrëveshje që kanë pasur që një kohë lidhur me një pronë. Për pasojë, një 51-vjeçar është sulmuar nga një 23-vjeçar.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi i dyshuar lidhur me rastin është Leotrim Malokun, i cili po dyshohet se ka goditur me një mjet të fortë viktimën, i cili po ashtu është nga familja Maloku.

Sipas informacioneve të para, mes dy palëve fillimisht ka nisur një zënkë, por për shkak se të njëjtit s’janë marrë vesh, i dyshuari është hedhur në sulm.

Përballë kësaj situate, dikush ka vendosur të kërkojë ndihmë nga Policia, duke e denoncuar atë që ka ndodhur, me ç’rast një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë mbledhur informacionet e para për rastin.

I dyshuari është arrestuar dhe më pas është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij për rastin për të cilin dyshohet.

Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Lexo edhe:  Lajm i rëndë: Vdes 1 vjeçari nga Mitrovica, Roan Sadiku