Konflikt mes çiftit në Fushë Kosovë, burri e bën për spital bashkëshorten
Dhuna në familje është shndërruar në makth për vajzat dhe gratë në vendin tonë.
Numri i rasteve që denoncohen çdo ditë në Polici ka marrë përmasa shqetësuese. E shumë nga këto raste ndër vite kanë përfunduar me fatalitet për gratë, raporton Gazeta Sinjali.
Në Polici kanë përfunduar dje edhe një çift në Fushë Kosovë, pasi një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Sinjali mëson se 28-vjeçari i dyshuari pas një konflikti verbal ka eskaluar në dhunë fizike ndaj viktimës, duke i shkaktuar asaj lëndime trupore.
Si pasojë e dhunës së përjetuar, viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që gjithë ngjarjen e ka rrëfyer në Polici. Ajo para hetuesve policorë ka deklaruar se nuk ndjehet e sigurt të vazhdojë bashkëjetesën me burrin, prandaj s’është kthyer në shtëpinë e përbashkët.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.