Konfirmohet prania e grupeve të armatosura dhe me maska në veri

Situata e sigurisë në vendin tonë, konkretisht në veri vazhdon të jetë shqetësuese. Pas dorëheqjes së serbëve të veriut nga institucionet e Kosovës, rezistenca ndaj heqjes së targave ilegale dhe mos formimit të Asociacionit vazhdon në forma të ndryshme.

Nga Zyra për Media e EULEX, thonë se situata e sigurisë në Kosovë është shumë shqetësuese dhe e tensionuar.

“Gjatë fundjavës, kemi parë një përshkallëzim me një sërë sulmesh, duke përfshirë kundër Policisë së Kosovës, një patrulle vëzhguese të EULEX-it dhe gazetarëve. Në ditët e kaluara, gjithashtu kemi qenë dëshmitarë të një pranie shqetësuese të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, shpesh nga individë dhe grupe të maskuara. Kjo është e papranueshme. Prishja e rendit publik dhe dhuna duhet të ndalen tani. Personat që janë përgjegjës për këto sulme duhet të japin llogari”, thonë nga EULEX.

Më tej nga EULEX-i thonë për Sinjalin se gjithashtu, ishin dëshmitarë të ngritjes së barrikadave. Siç ka thënë Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Borrell, ato duhet të largohen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës pasi që kjo nuk është e pranueshme.

Lexo edhe:  Spitali i Mitrovicës “Sami Haxhibeqiri” hap konkurs për 23 vende të lira pune