Konfirmohet arrestimi i kryeshefit të KRU Gjakova në Bullgari, familjarët thonë se është në pushim
Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga autoritetet italiane. Krasniqi dyshohet se ka rënë në prangat e Policisë në Bullgari para disa ditësh teksa kishte marrë rrugën për pushime bashkë me familjen e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë tashmë e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të cilët për Sinjalin njoftuan se Krasniqi është ndaluar më 19 shkurt në pikën e kalimit kufitar ‘Gyushevo’.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës konfirmon se në mbështetje të informatave zyrtare të pranuara nga Ministria e Jashtme e Republikës së Bullgarisë, shtetasi i Republikës së Kosovës (H.K) është ndaluar më datën 19 shkurt, 2024 në Pikën e kalimit të kontrollit kufitar “Gyushevo”.
Shtetasi i Republikës së Kosovës është ndaluar pasiqë i njëjti supozohet të jetë person i kërkuar nga Interpoli”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.
Ndërkohë familjarët e Krasniqit e kanë mohuar arrestimin e kryeshefit të KRU ‘Gjakova’.
Sinjali ka kontaktuar vëllezërit e tij, të cilët kanë dhënë deklarata kontradiktore për vendndodhjen e tij, që nuk dihen nëse nuk ia kanë haberin, apo tentuan ta fshehin.
Fillimisht njëri prej tyre, pasi u kontaktua nga Sinjali tha se “ka punë” dhe është në Bullgari, duke e konfirmuar se nuk ndodhet në Gjakovë, teksa s’ka dhënë detaje të tjera.
“Jo, nuk është në Gjakovë. Jashtë vendit është, kështu është me punë të veta, pushim është për momentin. Javën tjetër kthehet besoj. Në Bullgari është…” – u shpreh ai.
Ndërkaq vëllai tjetër i tij në një përgjigje për Sinjalin e mohoi se Krasniqi është arrestuar dhe insistoi që ndodhet në Kroaci për pushime.
“Është në pushim deri kah e premtja, sot një javë. Jo, nuk është e vërtetë që është arrestu, është në pushim. Dmth prej javës tjetër kthehet. S’ka të bëjë asgjë, jo jo jo. Unë në pika të shkurta po të tregoj. Ai për momentin gjindet në Kroaci, është në pushim”, deklaroi ai.
Ndërsa pasi u pyet për konfirmim nëse ndodhet në Bullgari siç tha vëllai i tij, i njëjti u përgjigj “Në Kroaci është. S’di çfarë informata keni marrë.”