Komunat dalin me propozim për kompensimin e orëve të humbura

Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes një letre të gjatë, drejtuar ministres së Arsimit Arbërie Nagavci kanë dalë me një propozim se si të kompensohen orët e humbura në arsim për shkak të grevës pesë javëshe.

Në këtë letër, kryetarët e komunave kanë kundërshtuar kompensimin e orëve në ditët e vikendve e për këtë kanë dhënë disa arsye.

“Vijimi i mësimit pa ndërprerje gjatë pushimeve do të krijonte ngarkesë për fëmijët dhe familjet e tyre, çka në mënyrë të drejtpërdrejt do të ndikonte në rënie të cilësisë dhe motivit për mësim. Do të shtonte shpenzimet për ngrohje dhe mirëmbajtjen e saj, tash kur në këtë kategori shpenzimesh, ato po njohin ritme të larta si kosto, çka dëmton buxhetet komunale. Madje, veprimi në këtë formë, përveç rritjes së kostos financiare për ngrohje, rrit edhe shpenzimin e energjisë elektrike, çka bie ndesh me masat qeveritare për kursimin e energjisë”, thuhet ndër të tjera në letër propozimin e kryetarëve të komunave drejtuar Nagavcit.

Aty ka edhe disa propozime të tjera se si mësimi nuk duhet të mbahet gjatë ditëve të pushimit për shumë arsye.

Por Asociacioni i Komunave të Kosovës ka propozuar se si dhe në çfarë mënyre mund të kompensohen orët e humbura në sektorin e arsimit.

“Që kompensimi i orëve të humbura të mësimit për shkak të grevës së përgjithshme në arsim, të bëhet duke i shtuar nga pesë orë pune për çdo nxënës brenda javës në kuptim të ditëve të rregullta të punës, ashtu që do të përballohej më lehtë për të gjithë pjesëmarrësit në proces mësimor si dhe do të garantonte standardet e kërkuara për zhvillimin normal të procesit mësimor, për të cilën janë shprehur pajtues udhëheqësit komunal. Duke besuar në gatishmërinë tuaj për të rishikuar vendimin tuaj për kompensimin e orëve të humbura të mësimit, presim shqyrtimin e përfshirjen e propozimeve tona për këtë çështje që na preokupon të gjithëve”, thuhet në letrën e AKK-së.

Lexo edhe:  Dasmori i vrarë sot është xhaxhai i Prindon Sadriut, burrit të Presidentes Osmani

Por ky propozim nuk ka marrë përgjigje nga ministria e Arsimit.

Sazan Ibrahimi drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës i ka thënë se ministria e Arsimit ende nuk ka kthyer përgjigje për propozimin.

“Deri në këto momente AKK nuk ka një përgjigje për propozimin e kryetarëve të komunave se si mund të kompensohen orët e humbura në arsim”, ka thënë ai. Para këtij propozimi ministria e Arsimit ka nxjerr një vendim për orët e humbura dhe mënyrën se si ato do të kompensohen.

Vendim ky është që kundërshtuar fuqishëm nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, por edhe Këshilli i Prindërve.