Komuna e Skenderajt synon lokale afër Shtëpisë së Kulturës në Runik, ndalohen punimet

Të martën Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore e ka nisur ditën në Runik të Skenderajt, ku ka ndaluar punimet e Komunës së Skenderajt pasi KOHA ka raportuar se afër Shtëpisë së Kulturës është finalizuar pllaka e betonit
Një ditë punë ka mjaftuar që t’i jepet fund pllakës së betonit krejt afër Shtëpisë së Kulturës në Runik, që mbrohet si monument. Por të martën punimet janë ndaluar. Bëhet fjalë për një projekt të Komunës së Skenderajt për lokale dhe rregullimin e hapësirës publike. Autoritetet komunale kanë respektuar vendimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore dhe janë zotuar se do të presin lejen e organeve kompetente përderisa nuk janë përgjigjur se përse punimet i kanë nisur pa të

Një ditë pasi ka nisur projekti për ndërtimin e lokaleve afariste krejt afër Shtëpisë së Kulturës në Runik, punimet janë ndërprerë. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka vepruar menjëherë pasi është dhënë lajmi për këtë aktivitet ndërtimi në afërsi të monumentit dhe pas njoftimit që ka marrë nga institucionet e trashëgimisë kulturore.

Bëhet fjalë për një projekt të Komunës së Skenderajt për një kompleks lokalesh dhe rregullimin e hapësirës publike në atë pjesë. Por, sipas procesverbalit të ndalimit të punimeve, zyrtarët komunalë janë pajtuar me ndërprerjen e punimeve dhe për përfilljen e hapave që përcakton Ligji për trashëgimi kulturore për aktivitet ndërtimi në afërsi të monumenteve.

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore të martën në orën 11:20 ka qenë para rrënojave të Shtëpisë së Kulturës në Runik të Skenderajt, monument tash e gati shtatë vjet. KOHA mëngjesin e së martës ka raportuar për shtrimin e një pllake të betonit në afërsi të Shtëpisë së Kulturës.

“Punimet në hapësirën në afërsi të asetit Shtëpia e Kulturës në Runik kanë filluar nga Drejtoria e Urbanizmit. Këto punime nuk kanë miratim të institucioneve të trashëgimisë kulturore”, shkruhet në procesverbalin e ITK-së. Sipas procesverbalit, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Driton Mulaj, në Skenderaj ka deklaruar se janë duke zhvilluar punime në hapësirën jashtë monumentit. Inspektorati ka shqiptuar masën e ndalimit të punimeve dhe sipas procesverbalit, pala ka deklaruar se do të ndalen punimet e po ashtu do të përfillen procedurat.

Lexo edhe:  Katër të vdekur nga armët e zjarrit për tri ditë në Kosovë

“Obligohet pala që përmes QRTK-së së Mitrovicës në IKMM të dorëzojë kërkesën për aprovim në vend të ngjarjes vendosen shiritat dhe shenja zyrtare”, shkruhet në procesverbalin e mbyllur në orën 12:50.

Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Skenderajt, Driton Mulaj, e ka nënshkruar procesverbalin. Drejtori Mulaj i ka thënë KOHËS se projekti parasheh dy lokale me etazhitet vetëm përdhese.

“Nuk preket Shtëpia e Kulturës asgjë brenda rrethojave deri në një projekt për Shtëpinë e Kulturës”, ka thënë Mulaj paraditen e së martës ende pa shkuar në vendpunishte Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.

Ky aktivitet i ndërtimit në Runik ka nisur paralelisht me hartimin e projektit zbatues për restaurimin dhe rifunksionalizimin e Shtëpisë së Kulturës, që në këtë fshat daton prej vitit 1950. Për këtë projekt ekziston edhe një Memorandum i Bashkëpunimit midis Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Skenderajt.

Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, për ndërhyrje të tilla duhet marrë leje me shkrim nga institucionet e trashëgimisë kulturore.

“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, shkruhet në pikën e 9-të të nenit 6 të këtij ligji.

Sipas këtij ligji, monumentet arkitekturore nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë tё mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit. Po ashtu sipas ligjit, kjo zonë e mbrojtjes mund të zgjerohet ose ngushtohet dhe përcaktohet në planin e institucionit kompetent dhe në planet hapësinore relevante në pajtueshmëri me Ligjin për planifikim hapësinor.

Për këtë rast të martën ka reaguar fondacioni “Hajde” që ka marrë përsipër procedurat për hartimin e projektit restaurues dhe rifunksionalizues të Shtëpisë së Kulturës. Themelues i Fondacionit është artisti i njohur botërisht, Petrit Halilaj i cili është nga Runiku.

Lexo edhe:  Reshje shiu dhe rrufe, parashikimi i motit për nesër

“Fondacioni Hajde” ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me vendosjen e një themeli ndërtimi shumë pranë objektit të planifikuar për restaurimin dhe rindërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik.

“Kjo ndërhyrje ndërtimore është konstatuar në një distancë shqetësuese afër monumentit dhe potencialisht brenda perimetrit të mbrojtur me ligj, duke rrezikuar integritetin fizik dhe kulturor të projektit për të cilin ‘Fondacioni Hajde’ tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare të planifikimit. Projekti është i hartuar nga studioja ‘Ars Atelie’ dhe i miratuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve”, shkruhet në reagim. Aty bëhet e ditur se si fondacion janë të vetëdijshëm për nevojat legjitime të komunitetit për hapësira funksionale dhe zhvillim lokal, por kanë theksuar se çdo ndërhyrje në këtë zonë të ndjeshme duhet të realizohet në përputhje të plotë me ligjin dhe me planin e miratuar të restaurimit të monumentit. Fondacioni ka kërkuar nga institucionet verifikimin e ligjshmërisë së punimeve të kryera, ndërprerjen e përkohshme të aktiviteteve ndërtimore derisa të bëhet vlerësimi i plotë teknik e ligjor, dhe organizimin e një takimi institucional me të gjithë aktorët relevantë, për të garantuar një proces të koordinuar dhe në respekt të trashëgimisë kulturore dhe komunitetit lokal.

“Shtëpia e Kulturës në Runik është më shumë se një ndërtesë – është simbol i kujtesës kolektive, i identitetit dhe i rezistencës kulturore të një komuniteti të tërë. Kjo është një përgjegjësi që duhet të ndahet dhe të mbrohet bashkërisht”, shkruhet në reagim.

Në gushtin e vitit 2023 Komuna e Skenderajt në emër të transformimit të zonës kishte nisur shembjen e ndërtesës. Kishte qenë artisti Petrit Halilaj në emër të fondacionit “Hajde”, që asokohe kishte zhvilluar takime me autoritetet qendrore dhe lokale. Kishte ndërmjetësuar që Shtëpia e Kulturës në Runik të jetë një qendër kulturore. Dhe ia kishte arritur. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, do të nënshkruanin marrëveshje për bashkëfinancim të projektit. Por kanë qenë qasjet e kundërta për monumentin që kishin përplasur Komunën me Ministrinë. E para ia mësyu me ekskavator kur i kishin mbetur dhjetë ditë që ta shënonte pesëvjetorin si monument, në korrikun e 2023-tës. Asokohe e prerë kishte qenë Ministria e Kulturës në reagim. Kishte konfirmuar se po bëhej fjalë për ndërhyrje të jashtëligjshme, njësoj siç kishte bërë edhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e Mitrovicës.

Lexo edhe:  FIFA dënon Serbinë për ofendimin e Xhakës dhe Shaqirit

Fondacioni “Hajde” kishte marrë përsipër që të zhvillojë procedurën e projektimit dhe rifunksionalizimit të Shtëpisë së Kulturës. Projektit ideor i realizuar nga “Ars Atelie” është prezantuar në gushtin e vjetëm sikurse edhe në panel në Prishtinë, gjashtë ditë më parë.

Projekti detaj është hapi i radhës para hapjes së procedurës nga Ministria e Kulturës për kontraktim dhe, sipas Berishës, pretendohet që restaurimi të jetë i finalizuar në fillim të vitit 2027 dhe të fillohet me program.

“Ne jemi në fazë të finalizimit të projektit ideor, e kemi idenë, por është e rëndësishme edhe pjesa teknike, finalizimi i krejt kësaj, mendojmë që dikur nga gushti ta hapë procedurën Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për kontraktimin e kompanisë dhe ne mendojmë që dikur rreth pranverës së ardhshme të nisim punët e vrazhda të restaurimit. Nuk mund të japim kohë të saktë, por pretendojmë që rreth pranverës së vitit 2027 të jetë projekt i finalizuar dhe të fillojmë me program”, kishte thënë javën e kaluar Adrian Berisha, drejtor ekzekutiv i fondacionit “Hajde”.

Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Shtëpia e Kulturës në Runik funksiononte si bibliotekë me 7.000 libra, me teatër, si dhe kooperativë bujqësore. Qe aktive deri në vitet ’90, kur objekti u mbyll. Gjatë luftës ishte zhveshur nga përmbajtja e saj. Qe e harruar deri në vitin 2018, kur artisti me famë botërore Petrit Halilaj për disa ditë e ringjalli me projektin artistik “Shkrepëtimë”. Pak kohë më vonë, shtetit iu kujtua ta merrte në mbrojtje si objekt i mbrojtur i trashëgimisë kulturore.