“Kom me jau hjekë krytë thikë”: Burri në Skenderaj kërcënon gruan e tij 21 vite më të re
Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Në Polici kanë përfunduar dje pasdite edhe një çift nga Skenderaj, pasi burri dyshohet se ka kërcënuar me jetë bashkëshorten e tij.
Sinjali mëson se 26-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se pasi ka qortuar djalin e tyre të mitur, bashkëshorti i saj e ka kërcënuar se do ia heq kokën me thikë asaj dhe fëmijës.
Si rezultat i denoncimit, 47-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti ‘Kanosje’.