Kolegët e punës në Suedi shkruajnë për Liridonën: Ajo e donte jetën familjare

Vdekja e Liridona Ademajt, i ka pikëlluar shumë kolegët e punës në Suedi.

Ata shprehen dhimbjen e tyre përmes një shkrimi në faqen zyrtare të lokalit.

“Ajo e donte jetën familjare dhe 2 djemtë e saj të mrekullueshëm më shumë se çdo gjë në botë”, shkruan në postimin e Lejas Cafe në Facebook.

“Ajo ishte një shoqe dhe punonjëse shumë e dashur për të gjithë”, vazhdon tutje shkrimi.

Kolegët e saj thanë se kishin marrë shumë pyetje lidhur me rastin tragjik, por për hir të familjarëve saj, nuk kishin reaguar.

Stafi njofton se në kujtim të Liridonës apo “Lillyt” siç e quanin ata, lokali do të jetë i hapur sot nga ora 15:00 për të bërë homazhe.

Liridona Ademaj, u vra në mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Sinidoll të Prishtinës.

Lidhur me ngjarjen, ndaj të dyshuarit kryesor, ish-bashkëshortit të saj Naim Murselit, dhe dy të tjerëve, Granit Plavës dhe Kreshnik Kokallës, është caktuar nga një muaj paraburgim nga ana e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Ish-bashkëshorti i Liridonës, Naimi, e ka pranuar fajësinë se ka paguar vrasjen e saj.

Ai dyshohet se ka paguar 30 mijë euro për kryerjen e aktit makabër.

Postimi i plotë:

Është me pikëllim të madh dhe zemra të rënda që ne duhet të njoftojmë sot se një person kaq i mrekullueshëm duhej të largohej shumë shpejt nga kjo botë. 💔

Një grua që gjithmonë i vlerësonte klientët dhe donte të sigurohej që ata të kishin gjithmonë përvojën më të mirë me ne. Ajo gjithmonë jepte 100% në vendin e punës dhe ishte një përhapëse e vërtetë gëzimi me një buzëqeshje të madhe në fytyrën e saj që u përhap shpejt si te kolegët ashtu edhe te klientët. Puna e vështirë nuk ishte e panjohur për të, qoftë në punë apo në privat. Ajo e donte jetën familjare dhe 2 djemtë e saj të mrekullueshëm më shumë se çdo gjë në botë.

Lexo edhe:  Një 4 vjeçare viktimë e sulmit seksual (Video)

Liridona nuk ishte thjesht një punonjëse me ne në Lejas Café. Ajo ishte shumë më tepër se kaq. Ajo gjithmonë donte të sigurohej që të tjerët të kalonin mirë përpara se ajo të vendosej. Ajo ishte një shoqe shumë e dashur për të gjithë dhe një punonjëse e njohur me klientët. Ajo krijonte lehtësisht lidhje të mira përmes personalitetit të saj dhe këto janë vetëm disa nga cilësitë e saj të mira që kishte.

Kemi marrë shumë pyetje në lidhje me ngjarjen dhe me gjithë respektin për të afërmit e saj, kemi pritur të postojmë çdo gjë në rrjetet sociale.

Nesër të dielën do të jemi të hapur për publikun, ku të gjithë janë të mirëpritur të përkujtojm, të bëjnë homazhe dhe të kujtojnë Lilly-n tonë! ❤️ Do të jemi të hapur nga ora 15.00. Nuk do të ketë shitje, megjithatë, në vend do të ketë kafe falas. Mirë se vini! Ju lutem shperndajeni.