Kjo është gjendja shëndetësore e 26-vjeçares që u lëndua në aksidentin tragjik afër Komoranit

Sot në orën 17:00 një aksident trafiku ka ndodhur në rrugën Komoran-Caralevë, ku dy persona kanë vdekur dhe një tjetër është lënduar.

Personi që është lënduar në këtë aksident është e gjinisë femërore, rreth 26-vjeçare.

Për gjendjen e saj shëndetësore ka folur mjeku kujdestar në Emergjencën e QKUK-së, Ejup Govori.

Ai i tha Gazetës Express se 26-vjeçarja është në gjendje stabile dhe se nuk ka ndonjë lëndim të rëndë.

“Bëhet fjalë për një grua 26-vjeçare. Ajo është në gjendje stabile, nuk ka lëndime të rënda trupore, veçse disa gërvishje”, tha Govori për Express.

Lajmin për aksidentin e konfirmoi edhe zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

Ajo për Express tha se në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete. Si pasojë e aksidentit, Ahmeti tha se dy persona kanë vdekur ndërsa një tjetër është lënduar.

“Rreth orës 17:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Komoran -Caralevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, të cilat kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar tre persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor”, tha Ahmeti.

Lexo edhe:  Rritet numri i gjobave në trafik, mbi 645 mijë të shqiptuara në vitin 2022