Këta janë vëllezërit që u kapën në operacionin e koduar “HELLI” – U sekuestruan rreth 6 mijë euro drogë në Komoran

Gazeta Sinjali ka siguruar identitetin e dy të arrestuarve në operacionin e koduar “HELLI”, i cili u zhvillua në Komoran dhe u finalizua me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme narkotikësh.

Të dyshuarit janë vëllezërit Meriton Ibriqi, 23-vjeçar dhe Mërgim Ibriqi, 28-vjeçar të cilët dyshohet se merreshin me shitblerje dhe kultivim të narkotikëve.

Sipas hetimeve, Meriton Ibriqi tentoi t’i shmanget ndalimit policor dhe gjatë arratisjes nga vendi i ndaljes ka hedhur nga vetura një qese me rreth 100 gramë marihuanë. Pas këtij veprimi, janë bastisur shtëpitë e tyre me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda.

Në shtëpinë e Mërgim Ibriqit janë gjetur: 300 gr marihuanë, 13 gr kokainë, peshore elektronike, qese për paketim, telefon iPhone 15.

Ndërsa tek Meriton Ibriqi: 660 gr marihuanë në total, 5 bimë kanabisi të gjata deri 30 cm, 740 euro cash, telefon Samsung, qindra qese për paketim.

Vlera e përgjithshme e drogës së sekuestruar arrin në rreth 6,000 euro.

Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga DHTN në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Lexo edhe:  Doli në transmetim direkt me bluzën e Serbisë, gazetari kërkon falje përsëri: Kam lënduar nëna fëmijësh të vrarë