Këta janë tre të arrestuarit në aksionin e sotëm, shtëpinë e kishin shndërruar në laborator drogë

Tre persona kanë përfunduar në pranga pas një aksioni kundër drogës të realizuar nga Policia e Kosovës në fshatin Ivajë të komunës së Kaçanikut. Të njëjtit u kapën brenda një shtëpie, ku u gjetën dhe konfiskuan mbi 5 kilogramë marihuanë.

Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet brenda Prokurorisë se personat e arrestuar janë vëllezërit Trim dhe Vullnet Buzhala 27 dhe 24-vjeçar, si dhe Naser Buzhala 49-vjeçar.

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të kryhen bastisje edhe në dy banesa, prona të të arrestuarve, ku në banesën e Naser Buzhalës, është gjetur një pistoletë dhe disa vazo si në shtëpinë të cilën e kishin shndërruar në laborator drogë, ndërsa në banesën e dy vëllezërve nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Ndryshe gjatë aksionit janë gjetur dhe konfiskuar edhe pajisjet tjera që dyshohet se janë përdorur për kultivimin dhe rritjen e narkotikëve si reflektorë, foli alumini, gërshërë e pajisje për ujitje, një veturë e tipit Golf 4, një pistoletë me një karikator dhe shtatë fishekë si dhe 160 euro para të gatshme.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Me pas dashtë me lujt e kisha fitu Big Brother, thotë Monika