Këta janë të dyshuarit që penguan punimet në Istog dhe kërcënuan Policinë, thonë se prona është e tyre

Në afërsi të një prone të komunës së Istogut, të martën ka ndodhur një incident, ku ka intervenuar Policia dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar. Të njëjtit po dyshohen se fillimisht janë futur në sherr me disa punëtorë e më pas edhe me Policinë, për shkak të disa punimeve në atë pjesë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy të dyshuarit që u arrestuan për këtë rast janë Feim Bytyqi dhe Avni Bytyqi, familjarë mes vete, të cilët përfunduan në ndalim policor.

Ata po dyshohen se fillimisht kanë penguar punëtorët e operatorit ekonomik “Shkëmbi” të kontraktuar nga komuna e Istogut, për kryerjen e disa punimeve, nën pretendimin se ajo pronë është e familjes së tyre.

Rasti është denoncuar menjëherë në Polici dhe zyrtarët policorë kanë intervenuar, por edhe ata janë penguar dhe janë kanosur nga dy të dyshuarit.

Të njëjtat burime thonë se për pasojë njëri nga policët është goditur nga njëri prej të dyshuarve, teksa tjetri ka shkaktuar dëme në veturën zyrtare të Policisë.

Për ta vënë situatën nën kontroll, të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku kanë vazhduar me sjelljet e njëjta, duke kërcënuar se nuk do të lejojnë të vazhdojnë punimet në atë zonë.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit për veprat penale “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, “Asgjësim apo dëmtim i pronës” dhe “Kanosje”.

Lexo edhe:  Protesta për vdekjen e 7-vjeçares në Himarë, qytetarët përplasen me policinë: Hiqni kapelet, bashkohuni me ne