Këta janë katër të arrestuarit për tentim vrasjen në Rahovec, bastisen shtëpitë e tyre

Hetimi i Policisë që nisi për një rast që u denoncua si tentim grabitje më 24 shkurt në fshatin Krushë e Madhe në Rahovec, tashmë ka marrë rrjedhë tjetër, pas provave që janë siguruar. Rasti është ricilësuar si ‘Vrasje në tentativë’ dhe katër persona të dyshuar janë prangosur nga Policia. Arrestimi i tyre erdhi pas një aksioni që rezultoi edhe me sekuestrimin e armëve e municionit.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personat e arrestuar janë Besnik Duraku, Abedin Hasani, Çlirim Muharremi dhe Bashkim Duraku.

Besnik Duraku dhe Abedin Hasani janë dy të dyshuarit që kanë pësuar lëndime nga arma e zjarrit dhe janë dërguar në spital për trajtim.

Të dyshuarit janë përfshirë në një konflikt që eskaloi në përdorimin e armës, për motive akoma të panjohura.

Lidhur me këtë rast, Policia Rajonale në Gjakovë ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme bastisje në shtëpitë e tyre, që rezultuan me sekuestrimin e disa armëve e rreth 150 fishekëve.

Katër të arrestuarit në bashkëkryerje po dyshohet se kanë kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe pas analizimit të dëshmive ka rezultuar se nuk ka të bëjë me veprën “Tentim grabitje”.

Të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Në vendin e ngjarjes janë gjetur 70 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm ndërsa gjatë kontrollit në katër shtëpitë e tyre si prova materiale janë gjetur dhe konfiskuar: një AK-47, një pushkë gjuetie, dy pistoleta dhe 74 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm. Dy prej të dyshuarve kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Rasti në procedurë hetimore.” – thuhet në raportin e Policisë.

Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësi i Policisë Rajonale në Gjakovë, Sheremet Elezaj.

Lexo edhe:  Gjilan: Të dyshuarit i kapen mbi një kilogram marihuanë

“Pas mbledhjes dhe analizimit të të gjitha fakteve dhe dëshmive lidhur me rastin e raportuar, me vendim të prokurorit të shtetit rasti është ri-cilësuar si “vrasje në tentativë”. Në këtë fazë të hetimeve nuk ka prova dhe dëshmi të cilat bëjnë të ketë dyshime për tentim-grabitje edhe pse ne do të vazhdojmë me hetime.” – tha Elezaj.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.