Këta janë katër të arrestuarit për rrëmbimin e 34-vjeçarit në Prishtinë
Moskthimi i borxhit i ka kushtuar me rrëmbim një 34-vjeçari para dy ditësh në Prishtinë. Rrëmbyesit, që ishin persona të njohur për viktimën në kompensim të borxhit prej 3 mijë eurosh vendosën t’ia marrin disa gjësende me vlerë. Ndonëse s’u bënë të gjallë për dy ditë, Policia arriti të bie në gjurmët e tyre. Ata janë arrestuar dhe ndaluar sot.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Eduard Tora, Gzim Begu, Albin Begu dhe Lundrim Rrmoku, të cilët janë kapur sot pas një aksioni të Policisë. Me rastin e kontrollit policor, Sinjali mëson se janë gjetur edhe gjësendet që të njëjtit i kishin marrë nga viktima, me ç’rast janë sekuestruar.
Pas arrestimit dhe shoqërimit në stacion policor, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që katër të dyshuarit të ndalohen për 48 orë dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.
Por si ndodhi rasti?
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se viktima fillimisht kishte komunikuar me të dyshuarit para një lokali në rrugën “Muharrem Fejza”, ku nga aty e kanë marrë me forcë në veturë dhe kanë shkuar në fshatin Shkabaj, ku sipas viktimës e kanë kërcënuar me vrasje në rast se nuk i kthen paratë, si dhe ia kanë marrë kartelën bankare.
Sinjali mëson se në dëshminë e tij të dhënë para Policisë, i riu ka deklaruar se rrëmbyesit e kanë dërguar edhe në banesën e tij, ku i kanë marrë gjësende që tejkalojnë vlerën e borxhit, e po ashtu edhe dokumente.
Përballë kësaj situate, ai ka vendosur që ta raportojë rastin në Polici, ku e ka përshkruar se si ka ndodhur ngjarja dy ditë radhazi. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i cili është vënë në dijeni për detajet e rastit kanë nisur hetimet ndaj të dyshuarve në drejtim të veprës penale “Rrëmbimi”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.