Këta janë dy të dyshuarit nga Podujeva që e zhveshën një të mitur dhe e incizuan, përfunduan në ndalim

Dy të rinjtë që dyshohen se ngacmuan seksualisht një të mitur në Podujevë, e zhveshën dhe e incizuan, pamje këto që ranë në duart e Policisë, kanë përfunduar në ndalim policor. Gazeta Sinjali ka raportuar se ndaj tyre, me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet në drejtim të dy veprave penale.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy të dyshuarit që u arrestuan për këtë rast janë Anid Blakçori (18-vjeçar) dhe Durim Deliu (19-vjeçar).

Sinjali ka mësuar se rasti u zbulua pas publikimit të disa pamjeve në rrjete sociale, ku shihen dy të dyshuarit, teksa e zhveshin viktimën, një djalë 14-vjeçar dhe më pas e filmojnë, pamje këto që janë shpërndarë më pas.

Hetuesit policorë, posa kanë i kanë identifikuar të dyshuarit, janë vënë në ndjekje të tyre dhe të njëjtit janë prangosur.

Pas mbledhjes së informacioneve dhe dëshmive të të dy palëve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tyre të iniciohet rasti për veprat penale ‘Ngacmim seksual’ dhe ‘Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri (3) vjet.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Tmerrohet gruaja në Viti, sulmohet nga hajnat që hynë të vjedhin në shtëpinë e saj