I kërkoi 28-vjeçares të shkojnë në motel dhe e shantazhoi, kapet mat i dyshuari në Ferizaj

Shantazhet që bëhen përmes rrjeteve sociale janë raste të shpeshta në vendin tonë. Zakonisht viktima janë vajzat e reja të cilat në këmbim të mospublikimit të pamjeve që do cenonin integritetin dhe privatësinë e tyre, detyrohen të kryejnë favore të ndryshme ndaj të dyshuarve.

Një vajzë e re nga Fushë Kosova është në hall me një person i cili përmes një llogarie false në rrjetin social Instagram dyshohet të ketë ushtruar presion ndaj saj që të shkojnë në motel dhe t’i japë para.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 26-vjeçari ka kërkuar që vajza t’ia japë atij 1 mijë e 500 euro dhe të takohen në motel, në të kundërtën do ia publikojë në të gjitha rrjetet sociale disa fotografi intime të bëra të montuara.

Pas denoncimit të rastit, është marrë vendim që të veprohet me masa të fshehta në mënyrë që i dyshuari të kapet në flagrancë.

28-vjeçarja bashkë me rreth 500 euro është takuar me të dyshuarin në Ferizaj, ku në momentin e dorëzimit të parave kanë intervenuar njësitë policore dhe kanë arrestuar 26-vjeçarin.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku gjatë intervistimit nga hetuesit, ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet.

Me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Shantazh’  dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Ky është 30-vjeçari që u gjet i vdekur në hollin e hotelit, u rrëzua në diskon “13 Rooftop”