Këshilltarja e BE-së i reagon Borrellit e Lajçakut pas vrasjes së policit në veri: Kjo ndodh kur luftën kundër krimit e quani provokim
Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka reaguar pas vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, dhe plagosjes së një polici tjetër në veri të vendit nga grupet kriminale serbe.
Schneeberger i tha shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, se kjo ndodh kur “luftën kundër krimit e quan provokim dhe e dënon”.
“Kështu ndodh kur e qetëson Vuçiqin dhe luftën kundër krimit e quan provokim dhe e dënon. Josep Borrel, Mirsolav Lajçak”, shkroi Schneeberger në platformën X.
Më tej, ajo tha se është koha për ta mbrojtur popullin e Kosovës e jo një autokrat, duke aluduar në Vuçiqin, i cili sipas saj po “bën lojëra të rrezikshme”.
Një polic ka mbetur i vrarë si pasojë e sulmeve në fshatin Banjskë të Mitrovicës së Veriut në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, ndërsa një tjetër është plagosur.
Për rastin kanë reaguar krerët e shtetit, të cilët kanë thënë se këto janë sulme terroriste të organizuara nga Serbia.