Këshilli i Prindërve paralajmëron Nagavcin: Fundjavat të mos jenë fare opsion për kompensimin e orëve

Ministria e Arsimit gjatë ditës së sotme do të publikojë Kalendarin e rishikuar për vitin shkollor 2022/2023 ku do të përfshihet kompensimi i orëve të humbura.

Nga Këshilli i Prindërve të Kosovës janë shprehur skeptik rreth kësaj çështje.

Jeton Demi, kryetar i këtij Këshilli bëri të ditur për Gazetën Sinjali se orët e humbura do të kompensohen vetëm me një kusht.

“Do ta shohim njëherë kalendarin, por, fundjavat nuk duhet të jenë fare opsion”, u shpreh Demi.

Theksojmë se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci përmes një postimi në Facebook tha se nga fillimi i vitit shkollor janë humbur 22 orë mësimi.

“Sot publikojmë Kalendarin e rishikuar për vitin shkollor për 22 ditë të humbura të mësimit. Rezultatet në arsim do t’i përmirësojmë. Bashkëpunimi e dialogu social do të vazhdojë, me parime e korrektësi, në interesin më të mirë të fëmijëve. Kompensim do të ketë. Kompensim për punën e bërë”, ka shkruar Nagavci në Faceboiok.

Në anën tjetër, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se zëvendësimi i orëve të humbura nuk është obligim ligjor.

“Ne nuk jemi kundër kompensimit [të orëve], por bazuar në Kontratën [Kolektive], Ministria e Arsimit nuk ka të drejtë të urdhërojë kompensim të orëve, pa diskutuar me përfaqësues dhe anëtarësi të SBASHK-ut. Shpresoj që kjo të bëhet”, ka thënë Jasharaj.

Lexo edhe:  Aya që lindi nën rrënoja tashmë ka një familje – birësohet dhe i ndërrohet emri