Kërcet grushti pas aksidentit në komunikacion, i riu sulmon fizikisht 75-vjeçarin
Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë.
Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në rrahje.
Një përleshje ka ndodhur edhe sot në rrugën ‘Ibrahim Lutfiu’ në Prizren, pasi dy vetura janë përfshirë në një aksident trafiku.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pasagjeri i njërës veturë, dyshohet se ka sulmuar fizikisht 75-vjeçarin që ishte në veturën tjetër.
Si pasojë e dhunës, viktima ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa 37-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.