Kërcet grushti në burgun e Dubravës: Të burgosurit kapen për ushqim, sulmohet 28-vjeçari

Përleshjet mes të burgosurve në qendrat korrektuese në vendin tonë nuk janë edhe aq të rralla. Raste të tilla e incidente të tjera, siç është ikja e të dënuarve janë bërë goxha të shpeshta dhe për pasojë po ngritet si shqetësim niveli i sigurisë në burgje.

Gazeta Sinjali ka raportuar në vazhdimësi për ngjarje të tilla, sidomos në Burgun e Dubravës. Rrahjet në këtë qendër janë bërë pothuajse të zakonshme.

Rasti i fundit ka ndodhur dje, ku disa të burgosur janë përfshirë në një përleshje, pas një mosmarrëveshje që kanë pasur me njëri – tjetrin, që kaloi nga konflikti verbal në dhunë fizike.

Sipas informacioneve të para, të burgosurit L.B., dhe A.G., po dyshohen se e kanë sulmuar fizikisht të burgosurin F.R, duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Motiv i rastit dyshohet të ketë qenë një mosmarrëveshje momentale lidhur me ndarjen e ushqimit.

Si masë parandaluese që të mos eskalohet situata, oficerët kanë ndërhyrë, ndërsa i burgosuri që u lëndua ka marrë trajtim.

Lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Lëndim i lehtë trupor”.

 

Lexo edhe:  Plagosje në Tërnavë të Podujevës