Kërcënohet punëtori i sigurimit në një fabrikë në Mitrovicë, të dyshuarit ia vënë flakën objektit dhe ikin

Një incident që pasoi me kanosje serioze ka ndodhur të mërkurën, në orët e mbrëmjes, në një fabrikë, në rrugë “Hekurudha e Selanikut”, në Mitrovicë. Punëtori i sigurimit në fabrikën e riciklimit është kërcënuar me armë nga disa persona, të cilët më pas ndezën zjarr brenda hapësirave të objektit.

Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se të dyshuarit kishin shkuar deri te fabrika me një veturë dhe para hyrjes e kanë detyruar punëtorin e sigurimit t’i lejojë të hyjnë brenda. Bazuar në dëshminë e viktimës, në momentin që kanë qenë brenda fabrikës, ata kanë hedhur shishen me benzinë, duke shkaktuar kështu zjarr.

Përballë kësaj situate, punëtori ka njoftuar Policinë, teksa të dyshuarit ishin larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk janë identifikuar.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, në lidhje me këtë rast kanë nisur hetimet për veprën penale “kanosje”, ndërsa akoma s’dihet se cili mund të jetë motivi i kësaj ngjarje.

Lexo edhe:  RTS zviceran: Personi që paralajmëroi vrajsen e Dick Martyt, është nga Kosova, ka punuar në Shërbimet Informative Jugosllave