Katër të rinj në Vushtrri mashtrohen, paguajnë qindra euro për viza pune – i dyshuari i kërcënon

Rastet e mashtrimit me viza në Kosovë nuk janë të rralla. Shumë herë Sinjali ka raportuar se si kosovarët nga dëshira për të ikur nga vendi, kanë rënë pre e mashtruesve, të cilët u kanë premtuar viza.

Një rast i tillë dyshohet se i ka ndodhur edhe një qytetari nga Vushtrria, i cili ia ka dhënë një personi një shumë të të hollave që nga muaji gusht, por mbeti pa para dhe pa vizë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se qytetari që u mashtrua ka vendosur që ta denoncojë personin me të cilin bëri marrëveshje, duke e raportuar në Polici. Në dëshminë e tij të dhënë para hetuesve thuhet se ai dhe katër shokë të tij, secili veç e veç e kanë paguar të dyshuarin rreth 150 euro për t’ua rregulluar vizat e punës.

Por që nga ajo kohë, përveç që nuk e mbajti premtimin, i dyshuari as të hollat nuk ua ka kthyer viktimave, çka e mllefosi njërin prej tyre dhe kërkoi ndihmë nga Policia. Pas denoncimit të rastit, viktima është kërcënuar nga i dyshuari, i cili e ka paralajmëruar se do ta pësojë.

Siç mëson Sinjali, i riu e ka pranuar një mesazh me fjalët “Ta kthej borxhin ty, sum han që shkoj n’burg se 7 vjet jom konë… veç mos u takofshim”.

Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në veprim, por ende nuk ka arritur ta kap personin e dyshuar. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Mashtrim”, teksa është urdhëruar arrestimi dhe ndalimi i dyshuarit posa i njëjti të kapet nga Policia.

Lexo edhe:  Kurti: E kujtojmë ish-presidentin Rugova për qëndrimin intelektual dhe sjelljen paqësore