Kapet njëri nga të dyshuarit që e grabiti pacienten në Spitalin e Pejës, ia morën me forcë unazat e çantën

U raportua para dy ditësh për një rast të grabitjes që ka ndodhur në oborrin e Spitalit rajonal të Pejës, ku një paciente ishte cak i grabitjes. Pas fillimit të hetimeve, Sinjali mëson se tashmë njëri nga të dyshuarit ka rënë në prangat e Policisë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 21-vjeçar, D.B., i cili është arrestuar gjatë ditës së sotme. Pas shoqërimit në stacion policor, i njëjti është intervistuar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.

Ndryshe, Sinjali ka raportuar se në rast dyshohet se janë përfshirë edhe dy persona të tjerë, ët cilët me përdorimin e forcës ia kanë marrë unazat gruas nga dora, si dhe çantën e krahut.

E tmerruar me atë që i ndodhi, viktima kishte vendosur ta denoncojë rastin në Polici, ku ka rrëfyer detaje për ngjarjen.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, hetimet kanë nisur për veprën penale “Grabitje”

Lexo edhe:  Aksion kundër taksive ilegale te Aeroporti i Prishtinës, një taksist përplaset me inspektorët