“Kam me ta hek krytë sopatë” – Vushtrriasi e kërcënon vajzën e mitur që shkoi për vizitë te motra e saj
Vajzat dhe gratë vazhdojnë të jenë viktima të dhunës në familje nga prindërit, partnerët e anëtarët tjerë të familjes. Për shkak të situatës në të cilën ndodhen dhe rrezikut që u kanoset, ato në shumë raste kërkojnë ndihmën e organeve të rendit, për të zgjidhur problemet dhe për të parandaluar ndonjë të keqe më të madhe.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar së fundi edhe një vajzë e mitur nga Vushtrria, e cila ka deklaruar se është kërcënuar me jetë nga babai i saj.
Sinjali mëson se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur pasi e mitura kishte shkuar për vizitë te motra e saj dhe në një moment prindi e kishte kontaktuar përmes telefonit që të kthehet në shtëpi.
Refuzimi i saj që t’i bindet babait,, ka bërë që ky i fundit të eskalojë në fjalë të rënda, me ç’rast dyshohet se i ka thënë që do ia heq kokën me sëpatë.
E frikësuar nga fjalët e babait, e mitura ka rrëfyer para hetuesve policorë gjithë atë që ka ndodhur dhe si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të hetohet në liri për veprën penale ‘Dhunë në familje’.