“Ka punëtorë që s’kanë pare për bukë” – Përlot me rrëfimin minatori që u fut në grevë, ka një mesazh për Qeverinë

Minatorët në minierën e Stantërgut edhe sot po e vazhdojnë grevën brenda minierës.
Ekipi i Lajmi.net ka qëndruar në vendin e ngjarjes për të parë nga afër gjendjen e minatorëve që janë në grevë.

Minatori, Fadil Feta, ka rrëfyer për Lajmi.net për punën e vështirë që bëjnë dhe për kushtet e rënda që kanë.

Ai thotë se për të marrë pagën e tyre u duhet të hynë në grevë.

“Unë jam 62 vjeçar, në “Trepçë” punoj prej vitit ’83. Atëherë grevat janë kanë ma ndryshe, sot na qe 18 vjet që punojmë u dasht me hi në grevë për me marrë pagën. Puna e vështirë që s’ka më vështirë”, ka thënë ai.

62-vjeçari tregon se problemet me pagat i kanë që nga paslufta dhe gjithmonë u duhet që të bëjnë greva që të paguhen për punën të cilën derdhin djersë.

“Paralufte i kena marrë pagat me kohë, a prej maslufte e këndej i kena marrë gjith me greva, kush është fajtorë nuk e di unë, por na e qesim prodhimin ne e dojm pagën, e jo me ta qit gjysa, gjysa. Ka pasë muj që naj kanë dhanë me tri rata. Këtë muj naj kanë dhënë 45% kanë mbetë edhe 55% me na dhanë, e prodhim është dalë mirë, e çka është problemi unë nuk e di”, u shpreh ai.

Minatori, Fadil Feta, I ka bërë thirrje Qeverisë e Kuvendit që të bëjnë zgjidhje për ta dhe të mos i detyrojnë që për paratë e tyre ta ndalin punën e të hynë në grev, pasi puna të cilën ata e bëjnë ka edhe rrezik jete.

“Jemi në gjendje katastrofale, ka punëtorë që ka të sëmurë, s’ka nashta pare për buk, kjo është tmerr. Zoti ta bëftë qaren. Unë si mesazh si Qeverisë, si deputetëve atje në parlament, se me votat tona janë ba deputet, si për kryeministrin, mesazhin e ka, 70% të pagës me na dhënë qysh ka qenë paralufte, e jo me t’i jap 100 euro edhe udha e mbarë t’koftë. Minatorët pasi të dalin në pension jetojnë në kushte të vështira katastrofale, ktu jetën në çdo hap e ki në rrezik, këtu nuk paguhet as rreziku as kurgjo hiq”, ka thënë minatori.

Lexo edhe:  Haxhi Krasniqi bokson në stadiumin e Prishtinës me këtë datë