“Ju vras” – Konflikt familjar në Deçan, i riu kërcënon djalin e axhës për pronë

Telashet pronësore vazhdojnë të jenë të pranishme në të gjitha qytetet e vendit. Për pasojë qytetarët përfshihen në ngatërresa në mes vete të cilat eskalojnë në sharje, kërcënime, përleshje fizike e shpesh herë kanë përfunduar edhe tragjikisht.

Kështu ndodhi edhe në fshatin Isniq të komunës së Deçanit, ku një pronë u bë sebep që dy kushërinj të përfundojnë në Polici.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, ku pas një mosmarrëveshjeje për një pronë, një 24-vjeçar dyshohet se e ka kërcënuar me jetë djalin e axhës së tij, duke i thënë se do e vrasë e më pas të njëjtin e ka shtyrë.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë arrestuar të dyshuarin, i cili u shoqërua në stacion policor për intervistim. Ndërkohë në koordinim me Prokurorinë është kryer bastisje në shtëpinë e të riut, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh. Ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale ‘Sulm’ dhe ‘Kanosje’.

Lexo edhe:  Çmimi i arit në Kosovë kap shifrat rekorde