Jasharaj i drejtohet Nagavcit: Nëse të duken pak 100 euro, na i rrit pagat me 200 apo 300

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i ka reaguar deklaratës së ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se përse sindikalistët kanë kërkuar 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit për Paga, dhe jo 300 apo 80.

Ai tha se ky ishte një humor i pakripë i saj dhe se nëse i duken pak këto para, atëherë le t’i rrisë rrogat për 300 euro.

“Kur jemi të kjo kërkesa modeste drejtuar Qeverisë për 100 euro shtesë në paga, Ministrja Nagavci bëri një humor pa fije kripe duke na kritikuar se pse paskemi kërkuar pikërisht 100 euro e jo , bie fjala , 300 euro.

Ministre ne e kemi ditur se kjo kërkesë është minimale dhe e pamjaftueshme karshi gjithë këtyre ngritjeve të çmimeve, por e kemi bërë sepse mund të realizohej po të donte Qeveria.

Nëse ju mendoni se kemi kërkuar pak dhe nuk e keni me tallje, atëherë si Ministre e tërë arsimit që je, kërko dhe realizo në Qeveri kërkesën tënde për 200 a 300 euro shtesë dhe ne do të jemi më të lumturit dhe do të ndjehemi krenar me ty”, ka shkruar Jasharaj.

Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës duke thënë se ka qasje të gabueshme ndaj sindikatave dhe dialogut, dhe se po krijon mjegull për Ligjin e pagave dhe ligjet tjera.

“Humori pa krip e ka sjellë situatën deri të greva e përgjithshme dhe nëse Ministrja Nagavci dhe Qeveria e kanë vërtetë hallin të nxënësit dhe orët e ditët e humbura nga greva, le të nisin me dialogun dhe plotësimin e kërkesave të të sindikatave, që janë në kuadër të BSPK-së”.

Lexo edhe:  Qeveria e harron renovimin e kompleksit “Adem Jashari”: Tre vjet më parë Kurti e Çeku mashtruan, thanë se “do fillojnë javën tjetër”