Jabuqicë, zgllob, lladnjak, etj., cili është kuptimi i këtyre emrave të përçudshëm?
Emrat e përçudshëm të pjesëve mekanike motorike kanë qenë të pandashëm në kulturën kosovare të të shprehurit – “llamella”, “zgllobi”, “lladnjaku”, “jabuqicat” – çka janë realisht dhe cili është funksioni i tyre?
Fatmirësisht për juve që mund të hamendësoni e mund të keni hamendësuar, përfshirë edhe mua, ekziston një vdekatar si krijuesi i këtij artikulli, i cili është shqetësuar deri në atë pikë sa e ka parë të nevojshme të shkruajë për domethënien e tyre.
Në fakt, kuptimi i tyre nuk mund të shpjegohet më mirë e më kredibilitetshëm (nuk e di nëse është fjalë e njëmendtë ‘kredibilitetshëm’ por, po tingëllon bukur, apo jo?) nga askush tjetër, veç një mekaniku.
E, unë, personalisht, u futa në punëtorinë e një mekaniku për të folur më shumë rreth çështjes në fjalë.
Në qendër të qytetit gjeta Gazmendin, 38-vjeçar, i cili pranoi të ndante 4-5 minuta nga puna e tij me ‘dizalicë’ (instrument që ngre lart veturën për të punuar nën të), për t’i shpjeguar një të interesuari si unë më shumë për disa prej fjalëve që i kam hasur vazhdimisht gjatë jetës por tek tash, si shofer i ri, më ka lindur interesimi serioz për të kuptuar më shumë rreth tyre.
Çka është ‘llamella’?

“Llamella shërben që kerri me pasë tërheqje”,tha Gazmendi, duke përshkruar një pjesë me të cilën unë, si vozitës i ri, duhet të bëj kujdes, nëse ajo që thotë Gazmendi më poshtë është për t’u besuar.
“Llamella” po del të jetë e ndërlidhur me “kfaçillën”, pedalen që duhet ta shtypësh për ndërrim shpejtësish dhe një keqmenaxhim i kësaj të fundit që vjen në formën e shtypjes lidhje-palidhje sidomos te shoferët e rinj, shkakton dëmtimin apo prishjen e “llamellës”.
“Fillestarët janë zakonisht ata që e dëmtojnë më shumë llamellën”, potencoi tutje Gazi – po i jap vetes të drejtën t’i drejtohem tash me shkurtesa të tilla, meqë e krijuam njëfarë raporti solid duke diskutuar për vetura e llamella.
Fatkeqësisht, Gazi nuk gjeti emër shqip për “llamellën”, përveç që elaboroi funksionin e saj.
Çka është ‘zgllobi’?

Term shqip ‘nyje’
“’Zgllobi’ është material shpenzues. Shoferi mun’ me dëmtu, zakonisht nëpër kthesa, duhet me pasë kujdes. Është i vendosur në rrotat e anës së djathtë dhe të majtë dhe termi shqip për ta përshkruar atë është ‘nyje’”, tha tutje Gazi për ‘zgllobin’.
Po ‘lladnjaku’?

Term shqip ‘radiatori’
“Radiatori apo ‘lladnjaku’, është ftohësi i klimës apo ftohësi i ujit. Nuk është send që prishet, veç nëse ndodh aksident ose është kerri shumë i vjetër”, elaboroi tutje zoti Gazmend.




Çka janë ‘jabuqicat’?

Termi shqip ‘mollëzat’
Një term tejet interesant që më bën përshtypje gjithmonë kur e dëgjoj aty-këtu është ky, ‘jabuqicat’. E kam të vështirë të përshkruaj imazhin që më shfaqet kur përmendet ky emër, por është një vështirë i përcaktueshëm, e një që kurrë në jetë nuk më kishte shkuar mendja, e as që do të më shkonte ndonjëherë me shumë gjasë, ta ndërlidhja me epitetin që përdori Gazi për t’i përshkruar ‘jabuqicat’ në shqip.
“Ndryshe quhen mollëza dhe janë pjesë e trapit. Këto prishen prej rrugëve të këqija”, potencoi Gazi.
‘Shovershajmja’?

“’Shovershajmja është xhami përpara”, më tha një tjetër mekanik me emrin Behxhet, e që nuk elaboroi tutje, sigurisht se edhe mund t’i jem dukur irritues me këso lloj pyetjesh që për të nuk kanë kurrfarë rëndësie.
Në kulturën tonë të të folurit, shprehjet serbe e turke gjejnë përfaqësim masiv, më e pakta që mund të themi, andaj është e natyrshme të jemi të familjarizuar me to. Në të kundërtën, jeta mund të jetë shumë e vështirë për, ta zëmë, shoferët e rinj e të dhënë shumë pas gjuhës shqipe ose të atillë si unë që duhet të duken sikur ia kanë ‘haberin’ për vetura kur e dërgojnë te mekaniku, në mënyrë që t’i shpëtojnë zhvatjeve apo manipulimeve si rezultat i injorancës rreth termave motorikë.