Ish-kryeinspektori: Astrit Dehari tentoi ta vrasë veten me zhiletë, një dëshmitar ka dëgjuar disa zhurma

Ish-kryeinspektori i Inspektoratit në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, Ylber Topalli, i cili u shkarkua nga kjo pozitë më 10 mars, ka dhënë detaje për çështjen e vdekjes së ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari.

Sipas njoftimit të MD-së, Topalli është shkarkuar nën dyshimin për shkelje të rënda procedurale në rastin e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Megjithatë, Topalli tregoi se në dhomën e burgut ku po qëndronte Dehari, janë gjetur zhiletë për rrojë, të cilët siç tha ai, janë të ndaluara të jenë brenda dhomave të burgut.

Mes tjerash, ai tha se Astrit Dehari së pari ka tentuar ta vrasë veten me zhiletë të rrojës.

“Në dhomë janë gjetur bica të rrojës, që praktikisht nuk guxojnë me pas bica, sepse i ndjeri ka tentu njëherë me bica me ba vetëvrasje, me pre veten me lëndu veten, është e rëndë për opinionin publik, por opininoi duhet me ditë, shenjat janë. Pastaj prej momentit kur një i burgosur vendoset vetë në dhomë, oficerët janë të obliguar me ardhë kohë pas kohe me shiku, ose duhet ta qëndroj dikush brenda”, u shpreh ai në RTV Dukagjini.

Sipas Topallit, janë gjetur një mori shkeljes procedurale nga zyrtarët e Shërbimit Korrektues, pas vdekjes së Deharit, transmeton Paparaci.

“Ka pasur një sërë shkeljesh procedurale të imëta, për të cilët kemi gjetur fajtorë zyrtarët korrektues. Nuk kemi gjetur në asnjë element, diçka që e ka nxitë të ndjerin për të ndërmarrë ndonjë veprim, ndonjë ngacmim prej stafit ose presion prej stafit”.

Po ashtu, ai dha disa detaje për një deklaratë të një burgosuri tjetër, që ishte në dhomën e bukur ngjitur me atë të Deharit.

Lexo edhe:  Zjarr në një ‘Rent a Car’ në Pejë, digjen tri vetura në vlerë të rreth 50 mijë eurove

Sipas tij, dëshmitari ka treguar se ka dëgjuar disa zhurma të cilat “ngjasonin me rrëzime në dhomën e Deharit rreth tre minuta”.

“Nuk ka pasur asnjë lëvizje, është shkelje sepse oficeri është dashtë të lëvizë, aty nuk ka qenë jo vetëm Astriti, në dhomën dy ka qenë në dhomën pranë një i burgosur tjetër që nuk ka dalë për shëtitje. Unë e kam deklaratën e tij, të shkruar, i kam të gjitha dëshmitarëve që kanë qenë në dhomë, të cilët e përshkruajnë rastin prej momentin që kanë ardhë dhe e kanë gjetur në dhomë”, tha ai.

“I burgosuri pranë që ka qenë, e përshkruan rastin se kam dëgjuar disa rrapëllime që kanë ngjasuar sikurse në rrëzime e kcime dhe ka zgjatur 3 minuta dhe ka qenë heshtje totale, zhurma është dëgju përsëri kur kanë ardhë të burgosurit dhe e kanë hapur derën dhe e kanë parë gjendjen e Astritit ashtu”.