Ish-dhëndri i sillet kah shtëpia 29-vjeçarit, situata mes tyre eskalon në dhunë fizike

Zënkat e familjes së gruas me dhëndrin, janë të shpeshta në vendin tonë. Madje me raste ato nuk marrin fund, as atëherë kur çifti vendos të ndahet. Për një rast të tillë që ka ndodhur në fshatin Gadime të Lipjanit, kanë rënë në prangat e Policisë dy persona.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, kur një person kishte shkuar në afërsi të shtëpisë së vëllait të ish-bashkëshortes së tij.

Prezenca e tij në fshat ishte vërejtur nga 29-vjeçari i cili kishte dalë menjëherë në rrugë dhe fillimisht ishte përfshirë në një konflikt verbal me të dyshuarin e parë. Situata mes tyre dyshohet të ketë eskaluar në sulm fizik ndaj njëri-tjetrit dhe si pasojë ata kanë marrë lëndime trupore.

Nga e gjithë kjo e pësoi edhe djali i mitur i 39-vjeçarit, i cili po e shoqëronte babanë e tij me veturë.

Lidhur me rastin, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’

Lexo edhe:  Serbët e kërcënojnë të riun që bëri shqiponjën në Zveçan