Infermieri i Emergjencës në Vushtrri përfundon në Polici, dyshohet se nuk e trajtoi pacienten pa udhëzim

Mosdhënia e ndihmës nga mjeku apo punonjësi tjetër shëndetësor, ndonëse ai është i vetëdijshëm se mosveprimi i tillë mund të rezultojë me dëme për për pacientin, përbën vepër penale dhe sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kryesi mund të dënohet me burgim deri në tri vjet, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë që dyshohet të ketë ndodhur në Emergjencën e spitalit ‘Sheikh Zayed’ në Vushtrri, Prokuroria ka nisur hetimet.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bashkëshorti i një pacienteje ka denoncuar një infermier të Emergjencës, për të cilin thotë se nuk i dha ndihmë bashkëshortes së tij e cila është alivanosur në korridor.

Bazuar në dëshminë e tij dhënë organeve të hetuesisë, kjo ka ndodhur për shkak se nuk kanë poseduar një udhëzim nga mjeku i Qendrës së Mjekësisë Familjare  dhe sipas tij, posedon edhe videoincizime të cilat dëshmojnë atë që ka ndodhur.

Si rezultat i denoncimit, infermieri është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, teksa në kuadër të veprimeve hetimore janë marrë edhe provat në fjalë.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Mosdhënie e ndihmës mjekësore’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.

Rasti është konfirmuar për Sinjalin edhe nga infermieri, rrëfimi i të cilit pas pak do të publikohet.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  “Ah bre motër na e djege shpirtin” – Gruaja që vdiq në Lepenc, motra e ish-kampionit të boksit