Incidenti në shkollën ‘Faik Konica’: Dy nxënësit kishin hyrë brenda trafos së rrymës, gjendja e tyre është stabile
Sot rreth orës 10:35 në oborrin e shkollës fillore të mesme të ulët në kryeqytet ‘Faik Konica’, ka ndodhur një incident, me ç’rast kanë mbetur të lënduar dy nxënës, raporton Gazeta Sinjali.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka bërë me dije se dy të miturit janë goditur nga rryma elektrike.
Ndërkohë Sinjali ka mësuar detaje të reja lidhur me rastin, ku sipas burimeve, dy nxënësit janë futur në trafon e rrymës elektrike e cila ndodhet shumë afër oborrit të shkollës. Në ato momente, trafoja ka marrë flakë dhe si pasojë dy të miturit kanë pësuar djegie në trup.
Burimet e Sinjalit brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë bërë me dije se njëri nga nxënësit ka pësuar djegie në shpinë dhe këmbë, ndërsa tjetri në dy duart.
Pas marrjes së tretmanit mjekësor, gjendja e tyre është stabilizuar dhe të njëjtit po vazhdojnë trajtimin në QKUK.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes ka dalë Policia dhe njësitë tjera relevante, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.