Incident te restoranti ku Komuna e Ranillugut mbajti darkën e fundvitit, hidhet molotov në veturën e asamblistit

Zyrtarët e Komunës së Ranillugut të martën u mblodhën në darkën e fundvitit, siç bëjnë shumë institucione në Kosovë, por kjo ndejë përfundoi pa nisur siç duhej.

Një shpërthim në parkingun e restorantit ku u organizua darka bëri që lokacioni të rrethohej me shirita dhe të intervenonte Policia, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur te restoranti “Royal King’, në fshatin Ropotovë e Madhe, ku dikush dyshohet se i  kishte ‘pritur’ të mblidheshin zyrtarët e komunës, për të shkaktuar incidentin që ishte planifikuar.

Sipas informacioneve të para, persona akoma të paidentifikuar, dyshohet se kanë hedhur koktej molotovi në veturën e njëri nga asamblistët që po po merrte pjesë në darkë.

Për pasojë, zjarri ka përfshirë pjesën më të madhe të veturës, për çka kanë intervenuar Zjarrfikësit bashkë me njësitë përkatëse të Policisë.

Në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha ekzaminimet, si dhe janë marrë deklaratat e viktimës dhe disa zyrtarëve të komunës – që kanë ngritur dyshimin se personat që dyshohen për këtë rast janë të njëjtit me ata që kanë kryer incidentet e tjera në këtë komunë muajt e fundit.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për të zbardhur motivin dhe për të kapur personat e dyshuar.

Lexo edhe:  Qytetari i dehur në Mitrovicë të Veriut kërkon ndihmën e Policisë, thotë se e rrahu dikush