Imami Berisha flet pas lirimit të vëllezërve Murturi: S’kam mbrojtje sigurie, policia duhet me qenë aty

Imami Zeqir Berisha ka folur për emisionin “Frontal” në T7 pas vendimit të Gjykatës Supreme për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj tre vëllezërve Murturi nga Lupçi i Podujevës të dyshuar për rrahjen e tij. Imami Berisha tha se nuk ndihet i sigurtë dhe do të kërkojnë ndihmë nga Policia për ta ruajtur kur të dalë për të shkuar në xhami.

Teksa u pyet për lirimin e vëllezërve Murturi, Imami Zeqir Berisha tha se nuk e di sesi i kanë liruar ata.

“Falë Zotit jamë më mirë me shëndet sesa më parë. Unë dua të them që nuk jam organ hetues i këtyre krimeve që kanë bërë qofshin këta apo të tjerët, unë kam dhënë intervistën në prokurori e kam cekë që të hetohet rasti, mirëpo nuk e di se si i kanë liruar nuk e di ku janë bazuar ata e dinë më së miri”, tha Berisha.

Ai tha se është sulmuar prapa shpinës, aty ku ngjarjen nuk e kanë kapur kamerat e sigurisë. Imami shton se ka marrë kërcënime nga vëllezërit Murturi edhe në të kaluarën.

“Më kanë sulmuar në mënyrë tinzare pas shpine tek xhamia në vendin ku nuk e kanë fotografuar kamerat. Ata më kanë sulmuar prapa shpinës, i mbaj mend krismat në kokë pas shpinës, pastaj jam alivanos dhe s’kam pas vetëdije derisa më kanë çu në Emergjencë në Prishtinë. Dyshimet e para janë te vëllezërit Murturi sepse para gati dy vitesh njëri më ka kërcënu ne tëlëfon me rrahje e me përjashtim nga xhamia, pastaj në Ramazan më ka sulmuar njëri prej tyre, por falë xhematit nuk e kanë lënë të më godasë ai më ka kërcënuar me sharje me fyerje me gjuajtje të telefonit por nuk më ka qëlluar”, shtoi Imami në “Frontal”.

Lexo edhe:  Rohde: Mund të mos iu pëlqej ta dëgjoni, por Kosova dhe Serbia duhet ta vazhdojnë dialogun

Imami tha se vëllezërit Murturi kanë linjë vehabiste dhe i ka këshilluar që të mos e praktikojnë atë linjë.

“Këta po mundohen më bë ndryshime edhe me forcë”, tha ai.

“Unë pres që të vijë dita për aktakuzë të bëhet edhe gjykimi”, shtoi ai.

Imami u shpreh se nuk ndihet i sigurtë as nesër nëse shkon për ta falë xhumanë.

“Unë s’kam mbrojtje sigurie nga askush. Do të konsultohem edhe me policinë e Podujevës që unë nuk kam siguri me dalë edhe si xhemat për t’u falë. Nuk e di se si do të veprojnë mirëpo policia duhet me qene aty se mos po eskalon situata”, përfundoi ai.

Gjatë ditës së sotme Gazeta Express ka publikuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme përmes së cilit është anuluar aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit.

Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se nga dy gjykatat nuk është dhënë “arsyetim për asnjë provë në të cilën mbështetet kallëzimi penal se të pandehurit B dhe A, Murturi kanë kryer veprën që u vihet në barrë”. Në aktgjykimin e Supremës thuhet se prokurori në kërkesën për vazhdimin e paraburgimit “nuk ka arritë të përfshijë provat që mbështesin bazat e artikulueshmërisë për vazhdimin e paraburgimit, kurse edhe gjykatat e instancave më të ulëta në këtë drejtim nuk kanë dhënë arsyet e duhura”.