Ia theu hundën policit të Kosovës, ky është personi i arrestuar

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Kështu ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Hamëz Jashari” në Prishtinë.

Incidenti ka nisur pasi një zyrtar policor ishte duke intervenuar në një rast ku i dyshuari ishte përfshirë dhe papritmas u përballë me sulm.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për të dyshuarin Fisnik Zogiani, 29-vjeçar, i cili ka përfunduar në ndalim policor.

Zogiani po dyshohet se e ka goditur me kokë zyrtarin policor, duke i shkaktuar lëndime të rënda (frakturë në hundë).

Sinjali mëson se i njëjti më pas është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa polici i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor.

Ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për 48 orë për veprën penale “Pengim i personit zyrtar”.

Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Haxhiu: Veprimet e Kurtit, një nga arsyet që po ikin nga Kosova profesionistët shëndetësorë